Pse Europa është tani epiqendra e koronavirusit…

Europa është epiqendra e pandemisë globale të koronavirusit. Kështu deklaroi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve të ndërmarrin masa më agresive, mobilizim të komunitetit dhe distancim social për të shpëtuar jetët e njerëzve.

“Mos e lini këtë zjarr që të digjet,” tha ai.

Komentet e tij vijnë pasi shumë vende europiane kanë raportuar një rritje të ndjeshme të infeksioneve dhe vdekjeve. Italia ka regjistruar numrin më të madh të vdekjeve brenda një dite.

Raportohet se atje janë shënuar 250 vdekje brenda 24 orësh, duke e çuar totalin në 1266 me numrin e infeksioneve 17660 në total.

Spanja, vendi më i prekur në Europë pas Italisë, raportoi një rritje prej 50 përqind të vdekjeve të premten, duke e çuar numrin në 120. Kurse të prekurit janë 4200.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha se të shtunën do të futet në fuqi gjendja e emergjencës për dy javë.

Përse Europa është epiqendra?

Më shumë se 132.500 njerëz janë diagnostikuar me Covid-19 në 123 vende në mbarë botën, sipas OBSH.

Numri total i vdekjeve ka shkuar në 5 mijë, një shifër që dr. Tedros e quajti një zhvillim tragjik.

“Europa tani është epiqendra e pandemisë, me më shumë raste dhe vdekje të raportuara se gjithë pjesa tjetër e botës e kombinuar, përveç Kinës,” tha ai.

“Më shumë raste tani janë duke u raportuar çdo ditë sesa raportoheshin në Kinë në kulmin e epidemisë”.

Përveç Spanjës dhe Italisë, Franca ka 2876 raste, Gjermania ka 3062 dhe në Britani janë 798 infeksione të konfirmuara/BBC